DURRES– Një 17 vjeçar nga Hamallaj ka humbur jetën rreth orës 20.15 në spitalin e Durrësit, mbrëmjen e së shtunës.

I riu Marsel Mane ka mbërritur në spitalin rajonal në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe pavarësisht tentativave të mjekëve për ta mbajtur gjallë ai ka ndërruar jetë pak kohë pasi kishte mbërritur në urgjencë.

Policia e Durrësit, e cila i referohet mjekëve të spitalit, deklaron se i riu besohet të ketë humbur jetën për shkak të helmimit nga fostoksina. Dyshohet se i riu i ka dhënë fund jetës në një moment depresioni.

Ky është rasti i tretë në harkun kohor të 5 ditëve, që persona të seksit mashkull i japin fund jetës me fostoksinë në rrethin e Durrësit. Në datë 29 janar u regjistruan dy raste, ku dy burra të moshës së mesme ndërruan jetë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë për shkak të helmimit me fostoksinë.