Durrës, 13 maj 2014 – Tre të rinj, të moshës 17, 23 dhe 31 vjeç janë arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë së komisariatit të Durrësit, sepse akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Vepra më e rëndë është kryer nga 17 vjeçari Xh. M., nga Durrësi, i cili pasditen e së hënës, në lagjen nr.15 të qytetit bregdetar, ka kanosur pas një konflikti për motive banale 21 vjeçarin G.Xh. Ka mjaftuar një debat i vogël mes palëve për ta shtyrë 17 vjeçarin të bëjë rolin e 'të fortit". Mësohet se adoleshenti pasi ka shkëmbyer disa replika me 21 vjeçari ka vrapuar drjet shtëpisë për të marrë armën dhe më pas ka qëlluar dy herë në ajër me automatik.
Fatmirësisht konflikti është mbyllur pa të lënduar, ndërkohë që policia i ka vënë prangat 17 vjeçarit Xh.M. i akuzuar për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Policia ka arrestuar në flagrancë gjatë ditës së djeshme edhe 23 vjeçarin Ervin Pepa, të cilit i janë gjetur dhe i janë sekuestruar në automjetin tip Volksvagen me targa DR 1940 F 39 steka cigaresh te markave të ndryshme pa pullë fiskale. Mbi Pepën rëndon akuza “Tregëtim i mallrave kontrabandë”.
Ndërkohë një 31 vjeçar nga një fshat i Shijakut është pikasur pasditen e së hënës, ndërsa po tentonte të hiqte dy shina hekuri nga ura e autostradës, tek nënkalimi Tiranë – Durrës. Secila prej shinave kishte një gjatësi prej 5.5 metrash dhe peshë të konsiderueshme. Tentativa e Saimir Dedia për të vjedhur dhe shitur për skrap këto shina dështoi, ndërsa tashmë i duhet të qëndrojë prapa hekurave për veprën penale të “Vjedhjes”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





