Durrës, 2 qershor 2014 – Një 17 vjeçare, e martuar vetëm pak muaj më parë, është dhunuar brutalisht nga bashkëshorti i saj Edison Sh., 30 vjeç.  

Bashkëjetesa mes çiftit të ri kishte kohë që nuk funksiononte dhe 17 vjeçarja kërkonte të ndahej nga bashkëshorti i saj.

Ky i fundit, kur është njohur me vendimin e 17 vjeçares, ka reaguar në mënyrë të dhunshme duke e rrahur brutalisht gruan e tij.

Sipas policisë, 17 vjeçarja kishte lëndime të shumta në trup të shkaktuara nga grushtat dhe shkelmat e burrit të saj, që nuk kishte nguruar ta godiste, qoftë në trup e qoftë në kokë.

17 vjeçarja, pas lëndimeve të shumta të shkaktuara është paraqitur në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, pasi hematomat e shkaktuara në trup ishin mjaft të dukshme.

Më pas është drejtuar drejt komisariatit të policisë për të bërë denoncimin e rastit. Gruaja e re ka rrëfyer para efektivëve të policisë dhunën brutale të ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, që nuk pranonte faktin se ajo donte ta linte.

Pas marrjes së dëshmisë së 17 vjeçares, policia ka prangosur në flagrancë mesditën e së shtunës 30 vjeçarin Edison Sh., banues në Durrës., ndërkohë që ka plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për gruan e re.

30 vjeçari është munduar ta justifikojë veprimin e tij me faktin se kërkesa për divorc e bëra nga e shoqja e ka irrituar së tepërmi dhe në ato momente nuk ka ditur se çfarë ka bërë.

Pavarësisht pretendimeve të ngritura prej tij, 30 vjeçari do të duhet të kalojë ca kohë pas hekurave, i akuzuar për “Shtrëngim apo pengim për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë”.

Nderkohe, po gjate fundjaves, dy femra te tjera kane bere denoncim ne polici per dhune fizike dhe psikologjike te ushtruar ndaj tyre nga bashkeshorti dhe kunati.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/