Durrës, 17 qershor 2014 – Një i ri durrsak është arrestuar mbrëmjen e së hënës nga policia, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 18 Durrës duke drejtuar automjetin tip Volsvagen me targa TR 3698 U në gjendje të pirë. Policia bënë të ditur se 27 vjeçari Asllan Kërtusha do të përballet në gjykatë me akuzën “Drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa dëshmi”.
Siç njoftojnë burime zyrtare të policisë rrugore, gjatë të hënës në akset rrugore të qytetit të Durrësit janë regjistruar dy aksidente rrugore, por fatmirësisht pa viktima në njerëz.
Kështu, rreth orës 21.00 të së hënës, në lagjen nr. 15 Durrës, një 51 vjeçar, duke drejtuar automjetin tip Ford me targa DR 9138 E, ka aksidentuar shtetasin V.K., 57 vjeç, i cili udhëtonte me një motoçikletë tip Yamaha 49 cc pa targa. I dëmtuari ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.
Pas verifikimit të dinamikës së aksidentit rrugor, policia nisi proçedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Dh.M., 51 vjeç, banues në Durrës.
Një aksident i ngjashëm është regjistruar, po një ditë më parë dhe në të kanë mbetur të përfshirë automjeti tip kamionçinë JMC me targë TR 2762 U, i drejtuar nga 41 vjeçari nga Tirana, S.Ç., dhe motoçikleta tip Dayang pa targa, e drejtuar nga A.P., 28 vjeç, banues në Romanat, Durrës.
Sipas policisë, nga përplasja mes kamionçinës dhe motorçikletës ka mbetur i lënduar drejtuesi i kësaj të fundit, i cili ndodhet në Repartin e Reanimacionit të Spitalit të Durrësit nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë si për drejtuesin e kamionçinës ashtu edhe për atë të motorçikletës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





