DURRËS, 20 mars 2013 – Prej shumë kohësh në morgun e Durrësit qëndrojnë 2 kufoma të paidentifikuara, ndërkohë që kushtet e këtij morgu nuk mund t’i mbajnë kufomat për një kohë të gjatë.

Përgjegjësi i morgut, Caf Rama, e ngre shqetësimin në fjalë dhe deklaron se duhet gjetur një zgjidhje urgjente. Sipas tij, ato ose duhet të shkojnë në morgun e Tiranës, ose të varrosen, pasi qëndrimi i tyre i mëtejshëm në dhomat frigoriferike të morgut të Durrësit vetëm sa do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën.

“Në këtë morg kufomat nuk mund të qëndrojnë gjatë, pasi temperatura nuk është aq e ulët saqë të mbajë për një kohë të gjatë një kufomë pa u dekompozuar. Dhomat frigoriferike janë rregjistruar që të mbajnë një temperaturë konstante dhe është llogaritur që të mbajnë në gjendje të mirë një kufomë për vetëm disa ditë. Në ambjentet e morgut aktualisht temperaturat janë normale dhe aspak të favorshme për të mbajtur tre kofomë që kanë rreth një vit që qëndrojnë aty”,- është shprehur mjeku Rama.

Ai shton më tej se me këtë problem është njohur drejtoria e spitalit, prokuroria si dhe ndërmarrja e komunales, por që deri më tani nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.

Në lidhje me këtë problem prokuroria e Durresit ka dërguar një shkresë në Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale të qytetit ku kërkon marrjen e masave për varrosjen e një kufome që qëndron prej më shumë se 14 muajsh në morg. Nga ana e Ndërmarrjes Komunale thuhet se zgjidhja për kërkesën e parë do të jepet brenda tre ditëve. Por, ky shërbim sipas tyre ka kosto dhe nuk mund të realizohet gjithmonë një gjë e tillë, pasi këto lloj varrimesh nuk janë të parashikuara në buxhet.  

Gjatë këtij viti morgu i Durrësit ka pasur mbingarkesë të madhe, pasi rreth një vit më parë në bregdetin durrsak u aksidentuan dy anije REINA 1 dhe EDIRNE, e për pasojë shumë persona humbën jetën. Ata u mbajtën për u mbajtën për një kohë të gjatë në morg. Disa prej viktimave u varrosën pak kohë më vonë, ndërsa trupi i pajetë i kapitenit të anijes turke që u mbyt 20 milje larg bregut dhe një femre ende të pa identifikuar janë harruar aty. Së bashku me dy kufomat e para është edhe trupi i një personi tjetër të gjetur pak ditë më parë, i cili nuk është identifikuar ende.

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/