Durrës, 3 qershor 2014 – Dy meshkuj, njëri i moshës 56 vjeç dhe tjetri 27 vjeçar kanë tentuar të vetëvriten gjatë së hënës.
Burime policore sqarojnë se 56 vjeçari Kujtim Kaziu, banues në Durrës, ish i përndjekur politik, ka zgjedhur një mënyrë demostrative për t’i dhënë fund jetës. 56 vjeçari ka tentuar të vetdigjet me benzinë para godinës së Postës Shqiptare, në lagjen nr.11, Durrës.
Në polici ish i përndjekuri ka deklaruar se, “kishte shkuar në Postë për të kërkuar punë, por pasi nuk më ofruan punë, vendosa të digjem. Jam i papunë. Nuk siguroj dot as bukën e gojës për vete dhe familjen time. Kam kërkuar punë, por nuk kam gjetur. Doja të vrisja veten në mes të qytetit, që ta shihnin të gjithë se çfarë ndodh kur nuk ke bukë për të ngrënë”.
Disa javë me parë, Kaziu tentoi të digjej në transmetim direkt në studion e News 24, ndërsa më herët gjatë një proteste të ish-të përndjekurve për dëmshpërblimet. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë ndaluar tentativën e 56 vjeçarit për t’u vetdjegur dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Efektivët e rendit që kanë mbërritur në vendngjarje kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shishe me rreth gjysëm litër benzinë dhe një shkrepëse.
Ndërkohë një 27 vjeçar nga Durrësi është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal, pasditen e së hënës, pasi nën efektin e alkoolit kishte konsumuar edhe disa medikamente. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë, mjekët e spitalit e kanë nisur me urgjencë 27 vjeçarin drejt spitalit “Nënë Tereza” për një trajtim më të specializuar, pasi ndodhej në gjendje të rëndë.
Ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm një 27 vjeçare, banore e lagjes nr.15, në Durrës u hodh nga kati i katërt i pallatit, ku banonte. Dyshohet se gruaja e ka ndërmarrë këtë akt pas dhunës sistematike të ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë ky i fundit që e ka shtyrë në këtë veprim ekstrem.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





