Durrës, 10 prill 2014 – Dy vajza të reja nga Lezha, të shpallura në kërkim ditë më parë pasi ishin larguar pa adresë, janë ndaluar në portin e Durrësit, ndërsa po tentonin të inbarkoheshin në një nga tragetet e linjës Durrës – Bari. Duket se alternativa për të jetuar e punuar në Perëndim ka qenë tunduese për dy shtetaset 24 vjeçaren R.G. dhe 19 vjeçaren M.A.
Ditë më parë ato ishin larguar nga ambientet e rrobaqepësisë ku punonin dhe që nga ajo kohë ishin shpallur në kërkim nga policia. Familjarët e dy vajzave të reja, banore të fshatrave Fishtë dhe Tale në rrethin e Lezhës, ishin alarmuar nga mungesa e tyre dhe kishin bërë denoncimin përkatës në polici. Dy të rejat janë ndaluar mbrëmjen e së martës, ndërsa janë paraqitur në sportelet e Policisë Kufitare në portin e Durrësit për t’u nisur drejt Italisë.
Dy vajzat, pas ndalimit në portin më të madh në vend, janë dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë që kishte bërë shpalljen në kërkim për këto dy shtetase. Policia po heton tashmë nëse dy vajzat po niseshin me vullnetin e tyre drejt vendit fqinjë, apo të shtyra nga persona të tjerë ato do të niseshin drejt Italisë për t’u përfshirë më pas në ndonjë rrjet trafikimi të mishit të bardhë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





