2000 studentë të viteve të para iu drejtuan sot auditoreve të UAMD-së, duke iu bashkuar bashkëmoshatarëve të tyre që i rikthehen jetës studentore pas rreth 2 vitesh mësim online për shkak të pandemisë Covid-19.
Megjithëse Ministria e Shëndetësisë ka përsëritur disa herë apelin për vaksinimin e detyrueshëm të studentëve, këta të fundit vazhdojnë të jenë të ndarë mes bërjes ose jo të vaksinës.
“Nuk e kam bërë akoma”,- thotë një studente e vitit të parë, e cila duket se është ndikuar nga informacionet e shumta në rrjete sociale për t’u treguar skeptike ndaj vaksinës.
Ndërsa një student i vitit të tretë pranon se i ka bërë të gjitha dozat dhe ua rekomandon edhe bashkëmoshatarëve të tij që të vaksinohen.
Pranë godinës nr.2 të Kampusit Universitar vazhdonte edhe sot vaksinimi i studentëve dhe nuk mungonin të rinjtë që po e kryenin këtë proces.
“E bëra sepse është e detyrueshme për të ndjekur mësimin në auditor”, – thotë një studente për “DurrësLajm”.
Rikthimi në auditore është i mirëpritur për të gjithë studentët, pasi problematikat e mësimit online reflektohen sipas tyre në dijet që marrin.
Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD, Xhafer Rakipllari, tha për “DurrësLajm” se universiteti ka marrë të gjitha masat, konform udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë për të garantuar zhvillimin normal të procesit mësimor. Sipas tij, studentët që janë në auditore janë të gjithë të vaksinuar.
“Ne shpresojmë shumë tek ndërgjegjësimi dhe përgjegjësitë që do të marrin përsipër studentët. Ata që ende nuk e kanë bërë apo kanë bërë vetëm një dozë, mund të shfrytëzojnë pikën e vaksinimit që është në këtë godinë për ta kryer këtë proces”,- tha ai.
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, i dyti më i madh në vendin tonë, regjistron rreth 20 mijë studentë në ciklin e studimeve Bachelor dhe Master.
M.B.