Dega hoteleri-turizëm në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në qytetin e Durrësit festoi sot 20-vjetorin e krijimit të saj. E në nder të kësaj dite në ambjentet e shkollës u organizua një aktivitet ku u prezantuan punimet e vetë nxënësve në të gjitha degët që ofron gjimnazi. Të ftuar specialë ishin përfaqësues të bizneseve në qytetin bregdetar, si dhe familjarë të nxënësve. Ishte sfilata e veshjeve, me fustane të larmishme të krijuara nga maturantët që çeli veprimtarinë festive, ndërkohë që nuk munguan edhe veshjet e ndryshme tradicionale.

Drejtoresha e shkollës Blerina Dervishi u shpreh se organizime të tilla synojnë të nxjerrin në pah aftësitë e nxënësve në mënyrë që të jenë pjesë e tregut të punës.  

Anila Hodo mësuesja e parë e degës së hoteleri-turizmit e cila ushtron profesionin e saj fisnik të mësimdhënies në këtë shkollë prej vitit ‘96 tha se në kuadër të 20-vjetorit të krijimit të kësaj dege u mendua të zhvillohej një aktivitet i tillë, i favorizuar nga larmishmëria e nxënësve dhe gatimeve nga krahinat e tyre.

Gjatë këtij aktiviteti u paraqitën një sërë gatimesh tradicionale dhe moderne të përgatitur nga vetë nxënësit, të cilët nuk ngurojnë të shprehin kënaqësinë për degën që kanë zgjedhur pasi i afron ata me punën.

Janë me dhjetëra të rinj e të reja që kanë zgjedhur të mësojnë një profesion të caktuar, sipas preferencave të tyre, për të qenë nesër pse jo sipërmarrës në një fushë biznesi, apo profesionistë të vërtetë në tregun e punës, në çdo lloj sektori shtetëror apo privat.

K.H.