·        Shërbime të huaja sekrete kanë hetuar për një rast qëndrimi të zgjatur të një anijeje të huaj në radë, me dyshimin e trafikut të armëve

·        Në terminalin e kontejnerëve DCT është defekt një nga dy vinçat e dhënë me qira nga Autoriteti Portual Durrës dhe po punohet vetëm me një vinç (i cili u riparua dhe ai pas një defekti) dhe në radë janë 3 anije me kontejnerë, përveç të katrës në përpunim dhe të pestës që është rrugës

DURRËS, 31 korrik 2014–  Një anije me pronar rus, menaxher gjerman dhe flamur të Belize-s ka 21 ditë që pret në radën e portit të Durrësit për të ngarkuar 5 800 tonë çimento për eksport.

Ditën e fundit të korrikut 2014 në kalata shkarkoheshin 6 transportues (shih raportin ditor dhe hartën): tre me 10 937 tonë grurë gjithsej, një me 570 copë kontejnerë, një me 3 996 tonë çimento dhe një me 773 tonë ushqimore.

Në radë ndodheshin 4 anije (3 me 387 copë kontejnerë, që kanë mbërritur njëra më 29 korrik dhe dy të tjerat më 30 korrik 2014).

Bie në sy se anija “Loyga” ka mbërritur në radën e portit të Durrësit qysh më 10 korrik 2014 nga porti libian i Tobrukut, ku kishte shkarkuar çimento shqiptare me paleta; rrugën e fundit është nisur nga Durrësi më 23 qershor 2014 (shih foton e Ed Gjatës).

DY NGA PROBLEMET

Së pari, në terminalin e kontejnerëve DCT është defekt një nga dy vinçat e dhënë me qira nga Autoriteti Portual Durrës dhe po punohet vetëm me një vinç (i cili u riparua dhe ai pas një defekti).

Defekti ka ndodhur më 7 korrik, DCT-ja ka njoftuar APD-në më 11 korrik 2014, ndërkohë që është kontraktuar për riparim  Cargotec-u.

Situata rëndohet për faktin se më 3 gusht vjen dhe një anije me 124 copë kontejnerë.

Së dyti, pavarësisht se fabrika prodhuese e çimentos mund të paguajë ditëvonesat, nuk është shumë i qartë qëndrimi i gjatë në radë i anijes “Loyga” (në pronësi të kompanisë ruse  Automobile River Marine Transportation of Cargo – Arkhangelsk,  në menaxhimin e kompanisë gjermane  Team Shipmanagement – Bremerhaven, me flamur të Belizes, gjë që është e rrallë për praktikën e Federatës Ruse që lejon anije të veta me flamur jo-rus, pasi anijen e ndërtuar në vitin 1981 në Japoni, e ka klasifikuar Regjistri Detar Rus).

Anijet në radë nxjerrin probleme dhe për sigurinë portuale, me të cilën merren dhe kryqëzohen si kapitaneria (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës), policia kufitare (Ministria e Punëve të Brendshme), qendra e vëzhgimit detar (Ministria e Mbrojtjes).

Shërbime të huaja sekrete kanë hetuar për një rast qëndrimi të tejzgjatur të një anijeje të huaj në radë, me dyshimin e trafikut të armëve.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/