Edona Haka është një nënë e re 22-vjeçare. Prej më shumë se dy vjetësh që nga koha kur u divorcua nga bashkëshorti i saj, Xhorxhinën, vajzën e saj 5-vjeçare e ka parë shumë pak. Ka përfunduar betejën ligjore në gjykatën e shkallës së parë në Durrës e në Apel dhe i kanë dhënë të drejtë që vajza të jetojë me nënën, por zyra përmbarimore ende nuk e ka ekzekutuar vendimin, ndërsa ajo pret me padurim këtë.
Edona është nga Nikla e Krujës dhe me shkuesi u martua në Sukth të Durrësit, kur sapo i kishte lënë 15 vjeçe. Në moshën 17-vjeçare ishte bërë nënë, ndërsa në moshën 20-vjeçare u nda nga bashkëshorti pasi kishte përjetuar dhunë fizike e psikologjike, jo vetëm prej tij por edhe prej të afërmve të tij. Për një vit ish-bashkëshorti nuk e lejoi asnjëherë të takonte vajzën, ndërsa vitin e dytë e ka takuar vetëm në prani të psikologes.
Për nënën e re takimet me të bijën janë minutat më të bukura. 22-vjeçarja i druhet faktit se si mund të ndikojë ish-familja e bashkëshortit te vajza e saj në mungesë të nënës.
Lirie Haka është nëna e Edonës. Ajo thotë se nuk do të rreshtin kurrë për të kërkuar të drejtën që vajza të rritet pranë nënës së saj. “Vajza u martua minorene, lindi fëmijë minorene, dhe vetëm një muaj para divorcit ka bërë celebrimin. Edhe mbesa mban mbiemrin e nënës së saj. Babai i saj është martuar dhe kërkojmë që vogëlushja të qëndrojë me nënën e saj, sepse nënë nuk i bëhet askush”, thotë gjyshja.
Edona të premten ka sërish takim në zyrën përmbarimore në Durrës. Ajo shpreson që do të marrin fund zvarritjet e do të bashkohet pas dy vjetësh me vajzën e saj Xhorxhinën.
K.H.





