Durrës, 27 maj 2014  – “Nuk e plagosa me thikë bashkëshortin tim. Ai u plagos aksidentalisht. Fatjoni tentoi të më rrihte, siç ka bërë gjithnjë dhe unë e shtyva. Në këtë moment, atij iu ngul thika që ishte në banakun e picerisë". Kështu ka deklaruar dje në polici 25-vjeçarja Vanesa Aliraj, e cila mbrëmjen e së dielës (sipas burimeve policore) plagosi me thikë 27- vjeçarin Fatjon Qosja. Ndërkohë, vjehrri i të resë, Novruz Qosja pohoi se nusja tentoi t'i vriste djalin dhe se ajo është shkaktare e sherreve në familje. 

DËSHMIA E NUSES 
Vanesa Aliraj me origjinë nga fshati Panaja e Vlorës dhe banuese në lagjen nr.6 të qytetit të Durrësit ka mohuar në polici të jetë autore e krimit. "Ngjarja ishte aksidentale. Nuk kisha për qëllim ta vrisja tim shoq, ndonëse ai më rreh sapo t'i jepet rasti. U bë që nga lindja e vajzës që nuk kam parë ditë të bardhë me sy. Rreth orës 18:30 të së dielës shkova në piceri që ta ndihmoja, pasi sapo e kisha vënë vajzën në gjumë, por nisi prapë sherri. Fatjoni tentoi të më godiste, por unë u shmanga. E shtyva sepse do më rrihte siç bën gjithmonë. Kur e shtyva, atij ju ngul thika që ishte në banak", ka pohuar në polici 25-vjeçarja, raporton “Gazeta Shqiptare”. 

Vanesa Aliraj është shprehur se "viktimë nuk është burri im, por unë. E gjithë familja e tij më ka dhunuar fizikisht e psikologjikisht". Ndërkohë, fqinjë të familjes Qosja dje pohuan se Vanesa ishte e mirë. "Prej më shumë se një viti ajo nuk ka parë një ditë të bardhë. Nuk dilte kurrë si njerëzit, sytë i kishte të mavijosur. E ka rrahur i shoqi sa i ka dashur qejfi. Ajo është vajzë e mirë, punëtore, e sjellshme dhe pastërtore e madhe. Nuk u ka faj nusja. Nusja është ta pish në kupë", thanë banorët e lagjes. 

Nga ana tjetër, kryefamiljari Novruz Qosja deklaroi se nusja për pak i vrau djalin. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", ai tha se i biri dhe nusja e këtij të fundit grindeshin si çdo çift, por nuk e kishin çuar nëpër mend se mund të arrinin deri këtu. Sipas Qosjes, shkaktare e sherreve dhe fajtore për plagosjen e djalit të tij është nusja. 

/Gazeta Shqiptare/