2821 maturantë i janë nënshtruar provimit të gjuhës së huaj në qytetin e Durrësit. Testi për provimin e anglishtes përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen nga 1 pikë secila dhe 12 pyetje janë me zhvillim, që vlerësohen me 37 pikë, në total provimi me detyrim i gjuhës së huaj vlerësohet me 50 pikë. Situata është paraqitur e qetë dhe pa probleme dhe në ambientet e gjimnazeve të qytetit kanë qenë prezentë përfaqësues të drejtorisë arsimore si dhe efektiva të policisë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. Vetë maturantët disa minuta para testit janë shprehur se kanë marrë të gjithë informacionin e nevojshëm lidhur me provimin e lirimit ndaj janë të qetë dhe kanë pritshmëri të larta për sa i përket rezultateve.

Do të jetë Agjencia Kombëtare e Provimeve e cila do të shpallë skemën e vlerësimit të testit, jo më vonë se sa tri orë pas përfundimit të provimit të anglishtes. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar.

K.H.