Heronjtë e fshehur të pas-fatkeqësisë natyrore, kështu i cilëson Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FNZH) 3 nga inxhinierët, pjesë e ekipit të madh të FSHZH-së me një përvojë disavjeçare: Loreta H., Mihal Xh. dhe Pal Ç.
Ata prej datës 27 nëntor 2019 gjenden në terren, në qytetin e Durrësit, pranë banorëve, për të kryer inspektimet dhe vlerësimet mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti, si dhe sigurinë e tyre.
Me një sistem digjital të secilës godinë (të pajisur me nr. rendor) dhe formularët përkatës (nga historiku i godinës, deri sot) shkojnë shtëpi më shtëpi, për të kontrolluar strukturat dhe komunikuar me çdo qytetar, si në aspektin teknik dhe njerëzor, pasi aty frika psikologjike prej një fatkeqësie natyrore ende ka nevojë për kohë, për t’u larguar, njoftoi më 13 dhjetor 2019, Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Të tre inxhinierët janë familjarë dhe sakrifica ka qenë e dyfishtë teksa largohen me orare të zgjatura larg fëmijëve, për kontrolle, deri sa syri i njeriut mund të shquajë në dritë.
Në mjedise të vështira, një pjesë prej tyre ende të rrezikshme dhe me banorë të shqetësuar, të cilët i shohin si mundësinë finale për të adresuar problemet, inxhinierët po sfidojnë njëkohësisht peshën e një vlerësimi të saktë, për godinat dhe komunikimin për të qetësuar banorët.
Dhe ata do të vazhdojnë të jenë aty, si të gjithë grupet e tjera të shpërndara në terren nga FSHZH-ja, deri sa çdo banesë të ketë një kontroll të mirëfilltë dhe çdo qytetar të marrë informacionin e plotë.
Th.M.





