DURRËS, 30 shtator 2013 – Qyteti tremijë-vjeçar e shënon vjetërsinë e tij me monumente antike dhe muzikë klasike. Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore ka kthyer vëmendjen në amfiteatrin e Durrësit: festivale të muzikës klasike. Këto aktivitete zhvillohen për herë të parë në galerinë veriore të amfiteatrit, e cila është galeria më e madhe. Ajo nuk është gërmuar tërësisht, pasi dalja e saj vazhdon nën shtëpitë e zonës dhe mendohet se përfundon në një nga daljet e murit të kalasë disa qindra metra. Galeria është bërë e shfrytëzueshme dhe ka një akustikë mjaft të mirë.
FOTOEKSPOZITË
Të dielën, më 29 shtator 2013, në kuadrin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u hap një ekspozitë fotografike e monumenteve të qytetit të Durrësit në galeritë e tjera të amfiteatrit, të cilat kane pritur nxënës shkollash të qytetit të Durrësit, turistë të huaj si edhe një grup të madh studentësh nga Shkodra dhe Kosova, të cilët ndalesën e parë e kanë në këto monumente kulture duke përfshirë Torrën, murin e Kalasë, Rotondën etj. Dhe është mjaft domethënëse se Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore u kurorëzua me një koncert recital.
KONCERT
Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës në mbrëmjen e dytë të tij, më 29 shtator 2013, ka pasur si protagoniste pianisten kryeqytetase Merita Rexha Tërshana. Galeria veriore, që është kthyer në sallën mikpritëse të edicionit të tetë të këtij festivali, jehoi nga notat e veprës së Çajkovskit “Stinët”. Solistja me përvojë, e cila prej vitesh ka preferuar të japë koncerte në Durrës edhe mbrëmjen e së dielës fitoi vëmendjen e plotë të publikut të pranishëm. Merita Rexha ka në aktivin e saj disa çmime të rëndësishme në shkallë kombëtare, ndërsa nuk ka munguar në koncerte me disa nga dirigjentët më të mirë shqiptarë dhe të huaj. Edhe në koncertin në amfiteatër Rexha provoi cilësitë e saj më të mira në tastierën e pianos, ëmbëlsinë e melodisë dhe forcën e ritmit. Vepra e autorit rus, që u interpretua për herë të parë për publikun durrsak, meritoi duartrokitjet e të pranishmëve durrsakë, si dhe të miqve të ardhur nga Tirana. Ditën e martë në të njëjtin mjedis, pianistja Merita Rexha do të jetë përsëri në skenën e improvizuar, së bashku me violinisten Nevila Kalaja dhe violonçelistin Aristidh Prosi
Info
Stinët (rusisht Vremena goda), botuar në vitet 1875-1876. Është një cikël mjaft i njohur për piano, që përbëhet nga 12 tablo karakteristike, opus 37 bis i Pjotër Iliç Çajkovski-t (versioni ndërkombëtar Pyotr Ilyich Tchaikovsky,1840-1893), kompozitor rus, dirigjent, pedagog, personalitet muzikor-shoqëror, kritik muzike në gazeta. Me të njëjtin titull janë dhe dy vepra të tjera të famshme autorësh të njohur: [Katër] Stinët (italisht Le quattro stagioni), katër koncerte për violinë nga kompozitori italian Antonio Vivaldi (1678-1741) dhe Stinët (gjermanisht Die Jahreszeiten), oratorio nga kompozitori austriak Jozef Hajden (Joseph Haydn, 1732-1809).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





