Durrës, 1 qershor 2014 – Tre banorë të komunës së Xhafzotajt janë vënë në pranga nga efektivët e rendit të Durrësit mbrëmjen e së premtes.
Ndërsa patrullat e përgjithshme të policisë po ushtronin kontrollet e rastit nëpër akset rrugore të qytetit të Durrësit kanë ndaluar dy automjete, drejtuesit e të cilëve rezultuan autorë të veprave të ndryshme penale.
Në rastin e automjetit tip Fiat Punto me targa AC768BC, që drejtohej nga Jurgen Tusha, 18 vjeç u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale kanabis sativa me peshë 231 gramë, si dhe një pistoletë me mbishkrimin EKOL TUNA 8 mm, pa leje. Në automjet ndodhej si pasagjer 26 vjeçari Rogert Vokshi. Të dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë nga efektivët e rendit.
26 vjeçari Vokshi akuzohet për veprën penale ”Prodhim e shitje narkotikësh në bashkëpunim”, ndërkohë drejtuesi i mjetit, 18 vjeçari Tusha, akuzohet për veprat penale “Prodhim e shitje narkotikësh në bashkëpunim”, “Drejtim mjeti pa dëshmi” si dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Pas arrestimit të dy të rinjve, efektivët e rendit të Durrësit kanë prangosur në flagrancë 41 vjeçarin Lavdrim Bulica, nga Xhafzotaj. Ndalimi i 41 vjeçarit Bulica u bë rreth orës 19.30, të së premtes, në afërsi të Stacionit të Trenit Durrës.
Gjatë kontrollit, efektivët e rrugores konstatuan se 41 vjeçari që drejtonte automjetin tip Volsvagen, me targa AA734GJ, ishte në gjendje të dehur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





