Durrës, 3 mars 2014 – Policia e Durrësit ka arrestuar tre të rinj, të përfshirë në sherrin masiv të mëngjesit të së hënës. Burime policore bëjnë të ditur se janë arrestuar H.D., 15 vjeç, nxënës në shkollën "Benardina Qeraxhia", Isnaldo Domi, 18 vjeç, nxënës i po së njëjtës shkollë dhe 17 vjeçari Dh. K., i dënuar edhe më parë për plagosje. 

Të njëjtat burime saktësojnë se efektivët e rendit kanë shoqëruar në komisariat 7 persona që kanë qenë të përfshirë ose që mund të ndihmojnë me dëshminë e tyre në zbardhjen e ngjarjes së rëndë të regjistruar mëngjesin e sotëm në afërsi të shkollës “Leonik Tomeo”. Burime policore bëjnë të ditur se po vijohet me marrjen në pyetje të të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm gjatë sherrit me thika, ku 4 të rinj, mbetën të plagosur.

Ngjarja e rëndë është regjistruar janë ambienteve të shkollës “Leonik Tomeo”. Të plagosurit janë D.D., 16 vjeç, banues në fshatin Sallmone, Shijak; Sh.R. 20 vjeç, nga Sukthi; N.M., 19 vjeç, nga Durrësi dhe A.N., 21 vjeç, nga Xhafzotaj. I plagosuri D.D. i është nënshtruar një nderhyrjeje kirurgjikale në spitalin rajonal të Durrësit dhe aktualisht është në repartin e Reanimacionit jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar 2 thika dhe një motoçikletë. Mbi tre të rinjtë e arrestuar rëndojne akuzat për veprat penale: "Plagosje e rëndë në bashkëpunim", "Mbajtja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Drejtim automjeti pa dëshmi". 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/