Policia e Durrësit ka nisur procedim penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 17:20 është paraqitur në polici shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte. Rasti ishte publikuar më herët edhe në rrjete sociale.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.

Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”.