Durrës, 13 mars 2014 – Tre të reja të moshës 21, 22 dhe 27 vjeçare kanë tentuar t’i japin fund jetës duke u vethelmuar me medikamente gjatë pasdites së të mërkurës në qytetin e Durrësit. Policia e qytetit bregdetar njofton se njëra nga të helmuarat, ajo me moshë 22 vjeçare, është në gjendje të rëndë, ndërkohë dy të tjerat, pasi janë dërguar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, për mjekim më të specializuar, janë jashtë rrezikut për jetën.
Ajo që tërheq vëmendjen krahas moshës mjaft të re të të helmuarave është fakti se të tre tentativat për t’i dhënë fund jetës janë kryer në harkun kohor të dy orëve. Burime nga spitali i Durrësit bëjnë të ditur se pasditja e së mërkurës ka qenë si rradhë herë mjaft e ngarkuar, pasi mjekët janë detyruar që në një hark mjaft të shkurtër kohor të ndërhyjnë për t’i dhënë ndihmën e parë shtetaseve të helmuara dhe më pas për t’i nisur ato me urgjencë drejt spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Grupi hetimor është duke kryer veprimet proceduriale për të zbardhur rrethanat dhe motivet që i kanë shtyrë këto të reja drejt aktit ekstrem. Sipas të njëjtave burime, konfliktet familjare (njëra prej shtetaseve qe tentoi vetvrasjen ishte e martuar) dhe ndarja nga i dashuri kane bere qe keto te reja te shohin si rrugezgjidhjen e vetme vetvrasjen.
Dy raste të ngjashme u regjistruan një javë më parë ne qytetin bregdetar, në datë 4 mars. Dy vajza të reja nga Durrësi konsumuan një sasi të konsiderueshme medikamentesh, por fatmirësisht nderhyrja ne kohe beri qe ato t'i shpetonin rrezikut per humbjen e jetes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





