Durrës, 16 mars 2014 – Tre persona të shpallur në kërkim, pasi ishin dënuar për vepra të ndryshme penale janë ndaluar nga policia e qytetit bregdetar gjatë fundjavës. Sipas policisë, në pranga ka përfunduar shtetasi Kanan Xhakollari, 26 vjeç, nga Durrësi, i dënuar nga Gjykata e Rrethit më 4 korrik 2013, me 1,3 vite burg për “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Ndërkohë si rezultat i bashkërendimit të punës mes Sektorit Kundër Krimit Ekonomik Durrës dhe Policisë Kufitare Korçë u arrit të kapej e ndalohej në hyrje të territorit shqiptar, në PKK Kapshticë shtetasi në kërkim Aleks Idrizi, 37 vjeç, banues në Durrës. Gjykata e Rrethit Korçë me vendim datë 17.07.2012 e ka dënuar atë me 6 muaj burgim për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”; vepër për të cilën Idrizi ishte shpallur në kërkim më datë 09.08.2012.

Efektivët e rendit bënë të mundur ndalimin edhe të shtetasit të shpallur në kërkim, Alfred Kola, 25 vjeç, banues në Durrës. Gjykata e rrethit e kishte dënuar këtë shtetas me 4 muaj burg për veprën penale “Kundërshtim i Punonjësit Policisë”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/