Arrestohet kryetari i Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare, 64-vjeçari nga Durrësi, Ndrec Prenga, i cili në këmbim të një shume parash, jepte vërtetim fakti me qëllim për të kërkuar azil në vendet e BE-së.

Pas një pune intensive 1-mujore me metoda speciale të hetimit, policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Azilkërkuesi”, duke vënë në pranga Ndrec Prengën së bashku me një shtetase nga Tirana, Sabahet Manukën, 65 vjeçe.

“Arrestimi i tyre u bë pasi në afërsi të ish-Doganës në Tiranë, Manuka u kap në flagrancë duke i dhënë 300 € Ndrecës, në këmbim të një vërtetimi fakti që i ka dhënë ky i fundit, me qëllim për ta përdorur për të kërkuar azil në vendet e BE-së”, njofton policia.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se Prenga është person me precedentë penalë të mëparshëm, i dënuar për të njëjtën vepër penale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e 300 eurove, 1 vulë dhe 3 telefona celularë.

Ndaj Ndrec Prengës rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv në sektorin privat” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa ndaj 65-vjeçares nga Tirana, akuza e “Korrupsionit aktiv në sektorin privat”.

S.L.