Asnjëherë më parë galeria e artit pamor “Nikolet Vasia” nuk ka qenë e mbushur cep më cep me punime artistike. Rreth 300 punime, kryesisht me bojëra vaji të 45 kursantëve të piktores së talentuar Asel Isteri u ekspozuan në ambientet e galerisë dhe u ndoqën me mjaft kureshtje nga sytë e dhjetëra prindërve dhe të afërmve të tyre.

Megjithëse ende në moshë të mitur, shumë nga pikturat të surprizonin me fantazinë dhe punimet cilësore të artistëve të vegjël. Sinkron plane

Për 16-vjeçaren Jona Haka kjo nuk është ekspozita e parë, por emocionet mbeten të forta. Prej vitesh, piktura i është kthyer në një hobi, madje talentin e spikatur ka nisë ta shfaqë që në moshën 10-vjeçare. Bukuroshja e Durrësit apo Rihanna janë vetëm disa nga portretet e realizuara nga 16-vjeçarja Haka, ndërsa në hapësirën ku janë ekspozuar shumë nga punimet e saj, spikatin edhe skicat e realizuara bukur.

Një tjetër piktore e re e talentuar është Nikol Isaku, për të cilën piktura është kthyer në një pasion që mund të vazhdojë gjatë. Nxënësja e vitit të parë të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” ka 9 vite që merret me pikturë dhe shprehet se i pëlqen më shumë të punojë me laps dhe akrilik. Meqë është ekspozita e tretë ku merr pjesë, gjimnazistja Isaku rrëfen se po e mendon që në të ardhmen t’i dedikohet edhe më shumë botës së artit.

E përkushtuar prej vitesh në kurset e pikturës me të miturit, Asel Isteri falenderoi të gjithë piktorët e vegjël për angazhimin e treguar gjatë këtij viti të vështirë, ku pandemia dhe kufizimet nuk ua lehtësuan punën, por kur gjërat bëhen me pasion ato realizohen pavarësisht gjithçkaje.

M.B.