Durrës, 29 korrik 2014 – Pushuesi nga Tirana, që pasditen e së dielës u bë protagonist me larjen e tij nudo në plazhin e Gjirit të Lalzit, ka shpjeguar para efektivëve të rendit arsyet e këtij veprimi.
“Ndodhesha në plazh me shokët. Po luanim bashkë dhe premë bast që unë të lahesha nudo për disa minuta në det”,- tha 33 vjeçari në komisariatin e policisë. I riu ka shpjeguar se është përpjekur të lahej sa më thellë për t’u shmangur nga sytë e fëmijëve dhe familjarëve.
Por nga ana tjetër dëshmitarët që kanë njoftuar policinë kanë theksuar se i riu nuk e kishte problem të lëvizte nudo.
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e sinjalizuar dhe i kanë bërë thirrje të riut të dilte nga deti. Kur po i afrohej cektësirës, ai i ka kërkuar policëve që njëri nga shokët t’i sillte një peshqir për t’u mbuluar.
Krahas justifikimit se kishte lidhur bast me shokët për t’u larë nudo, 33 vjeçari E.T. ka thënë gjithashtu se dallgët e detit ia kishin marrë mbathjet e plazhit.
Pas marrjes në pyetje, policia e ka lënë të lirë 33 vjeçarin, por gjithsesi ka nisur ndaj tij procedimin penal në gjendje të lirë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





