DURRËS, 7 janar 2015 –  Brenda pranverës 2015, mendohet t;i jepet fund etjes në zonën problematike të Spitallës tek ish- “Reparti i Marinës”, duke shtrirë mbi 3,5 kilometra tubacione, një kryesor dhe dy dytësore, investim me vlerë 68 mijë euro.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, sha njofton se më 28 janar 2015 do të organizojë tenderin për furnizimin me ujë në zonën e ish-“Repartit të Marinës”, lagja nr. 15, Spitallë. Fondi limit është 9 455 525 lekë (68 mijë euro) me financim të Ujësjellës Kanalizime Sha. Afati për realizimin e shërbimit është 40 ditë nga dita e lidhjes së kontratës. 

GJENDJA

Sipas drejtorisë ekzekutive të Ujësjellës Kanalizime (UKD) Sha, një pjesë e kësaj zone ndodhet në terren kodrinor, ku kuotat variojnë nga 5.00 deri 45.00 m. Aktualisht, furnizohet me ujë të pijshëm nga dy tubacione, njëri ekzistues DN 100 mm G i shtruar rreth viteve 1960 dhe një tubacion DN 100 mm CE i shtruar rreth viteve 2000. Si rezultat i amortizimit të tubacioneve ekzistuese si dhe shtimit të popullsisë vitet e fundit për shkak të lëvizjeve demografike, furnizimi është kryer një herë në tri ditë nga linja ekzistuese DN 200 mm G.

Zona ka mungesën e tubacioneve të shkarkimit të ujërave të ndotura, si dhe praninë e kanaleve të hapura të ujërave të larta të kodrës, te cilat janë kthyer në kanale të ujërave te ndotura. Ndërhyrjet e shumta të paligjshme në rrjet kanë sjellë humbje të prurjeve dhe defekte të konsiderueshme. Niveli i faturimit është në nivelin 25-30 për qind.

Nga UKD-ja janë bërë ndërhyrje të shumta për të eliminuar defektet dhe ndërhyrjet pa leje të bëra jashtë kushteve teknike. Duke qenë se terreni është kodrinor dhe rrugët kryesore të kësaj zone janë të shtruara me beton të armuar, kjo gjë vështirëson mundësinë e riparimit të defekteve si dhe verifikimin e prerjen e lidhjeve të paligjshme.

ZGJIDHJA

Numri i popullsisë sot në zonën e studimit është 1 800 banorë. Projekti ka një perspektivë 25-vjeçare, kur parashikohet që popullsia të arrijë në mbi 3 600 banorë.

Si zgjidhje me ekonomike duke pasur parasysh presionin në pikën më të largët, që duhet të përballojë ndërtesat trekatëshe me perspektivë për dykatëshet, është menduar si zgjidhje me ekonomike tubacion PE 100 DN 90 mm me gjatësi L= 450 m. Sistemi i lidhjes me kolektor duke reduktuar shtimin e linjave shpërndarëse në çdo rrugicë dytësore, nisur dhe nga fakti se zona ka shtrirje relativisht të shpërndarë. Linjat dytësore në çdo rrugicë janë menduar të bëhen të shkurtuara pasi vazhdimi do jetë lidhja e çdo banese me kolektorët. Është menduar të jenë tubacione PE 100 DN 63 mm PN 10 me gjatësi 1 420 m duke mundësuar vënien e sa më shumë kolektorëve përgjatë tyre.

Për ndërtimin e tubacioneve të ujësjellësit është menduar që gërmimet për vendosjen e tubacioneve në projekt do të bëhen kryesisht paralel me rrugët ekzistuese; kanali për shtrirjen e tubit do të jetë i thelle mesatarisht 1 m mbi tub; vendosja e rërës 10 cm, nën dhe mbi tub, bëhet me kujdes që të krijohet rrafshuese dhe mbështetëse e butë për tubin; mbushja dhe rrafshimi me rërë është parashikuar të bëhet me krahë si proces delikat; shtrimi i tubit në kanal bëhet me shumë kujdes për të mos e dëmtuar atë, mbulimi bëhet në pjesë të veçanta deri sa të bëhet prova.

Info / Vëllimet kryesore 

1 847 metra kub gërmime dheu, 451 metra kub mbushje-ngjeshje rëre, 1 149 metra kub mbushje me zhavorr, 115 metra kub shtresë betoni, shtrirje 490 metra linear tubacion kryesor PE 100 DN 110 mm, tubacion dytësor 1 635 metra linear PE 100 DN 90 mm  PN10, tubacion dytësor 1 420 metra linear PE 100 DN 63 mm  PN10; si dhe dy matës uji DN 100 mm PN 10 dhe DN 80 mm PN 10.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/