Shijak, 16 maj 2014 – Godet me levë në kokë të ëmën dhe tezen pas sherrit për një gardh. Absurditeti i situatave të dhunës në familje po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe në një pjesë të mirë të rasteve të dhunuarit/at janë persona të moshës së tretë, që në vend të përkujdesjes detyrohen të përballen me dhunë brutale nga familjarët dhe të afërmit e tyre.
Ngjarja e rëndë e regjistruar dy ditë më parë në Shijak, ka për protagonist Adriatik Vërlakun, 38 vjeç, i cili ka dhunuar nënën e tij 62-vjeçare si dhe tezen 51-vjeçare.
Sipas policies, mes Vërlakut dhe nënës së tij kishte nisur një konflikt pronësie disa kohë më parë, që ishte kthyer në mollë sherri mes të dyve. 38-vjeçari akuzonte të ëmën se prishte gardhin që ndante banesat mes tyre dhe për këtë kishin bërë debate të ashpra herë pas here.
Mësohet se Vërlaku ishte i martuar dhe jetonte me familjen e tij pranë banesës së të ëmës. Dy ditë më parë ka nisur sërish një debat i ashpër mes nënë e birit të saj, debat ky që degjeneroi në dhunë fizike. Adriatiku ka marrë një levë dhe i është vërsulur të ëmës, ndërsa ka ndërhyrë edhe tezja e tij për të shpëtuar të motrën.
Të dyja gratë kanë rënë pre e dhunës së Vërlakut duke marrë dëmtime në kokë. Ato u transportuan në spital ndërsa policia kreu arrestimin e Adriatik Vërlakut për “Dhunë në familje”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





