DURRËS, 2 korrik 2013 – Katër të rinj, nxënës të klasës së 8-të në një nga shkollat e Durrësit kanë sjellë këto ditë në muzeun arkeologjik të qytetit disa fragmente qeramike, të cilat i kanë gjetur rastësisht në zonën bregdetare.

Kujdesi i 15-vjeçarëve për trashëgiminë historike dhe këmbëngulja tyre për t’ua dorëzuar specialistëve materialet e gjetura, përbëjnë një sinjal pozitiv, që vjen nga komuniteti qytetar, – tha dr. Adrian Anastasi i Institutit të Arkeologjisë.

Nxënësit Andi Kovaçi, Erjon Duka, Junior Kurti dhe Napoleon Llalla nuk janë të parët që dorëzojnë në muze fragmente apo objekte arkeologjike, – u shpreh arkeologu nënujor, sipas të cilit, vlera e vërtetë e interesimit të të rinjve lidhet me rikthimin e një mentaliteti qytetar për mbrojtjen e pasurisë së përbashkët muzeore.

Në shumë raste të tjera qytetarët kanë kërkuar vetëm vlerësimin financiar të objektit, si shkëmbim për dorëzimin e tij në muze, – thotë specialisti.

Sipas dr. Adrianit, peshkatarët e bregdetit të Durrësit janë një grup i madh qytetar, të cilët sinjalizojnë në muze për gjetjet nënujore dhe së fundi kujdesen për të mos i lëvizur objektet nga vendi. Këqyrja e objekteve arkeologjike në kontekstin e zonës nënujore ku ndodhen, shërben për të njohur më mirë prejardhjen, si dhe lehtëson datimin e saktë kohor të materialit arkeologjik, – sqaron dr. Adrian Anastasi.

Ne kemi gjetur bashkëpunim të plotë edhe te grupi i zhytësve profesionistë të Forcës së Sigurisë Portuale ,– tha më tej Anastasi, i cili vlerëson gjithashtu informacionet e ndërsjella me të gjithë personat e autorizuar për zhytje me qëllime të tjera studimore.

Studimi i pjesës bregdetare të Durrësit ka nisur 40 vjet më parë nën kujdesin e drejtorit të atëhershëm të muzeut arkeologjik Vangjel Toçi, i cili njihet në qytetin antik edhe si modeli i krijimit të një raporti të ndërsjellë të besimit dhe informacionit me qytetarë të të gjitha shtresave.

Në vendin tonë ende mungon një ligj i detajuar për trashëgiminë arkeologjike që ndodhet nën ujë, çka e vështirëson jo vetëm ruajtjen, por edhe njohjen e shkallës së dëmtimit të kësaj pasurie nga keqbërësit gjatë 20 vjetëve të fundit, – thotë dr. Adrian Anastasi, për të cilin kontaktet me qytetarët dhe rritja e ndjeshmërisë së komunitetit mbeten aktualisht mundësia më e mirë për mbrojtjen e objekteve qindravjeçare.

/g. k. & th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/