Durrës, 14 korrik 2014 – 4 prindër janë dhunuar gjatë fundjavës nga fëmijët e tyre, ndërkohë që dajak “ka ngrënë” edhe një 10 vjeçare prej gjyshes së saj.

Gjatë fundjavës që sapo lamë pas, dhuna në familje nuk ka kursyer prindërit, që janë rrahur pikërisht nga ata që sollën në jetë dhe i rritën plot mund e sakrifica.

Policia ka nisur procedimin penal ndaj 24 vjeçarit A.P. dhe 33 vjeçarit Ç.Gj, të dy nga Durrësi, të cilët kanë ngritur dorë kundër nënave të tyre, përkatësisht  Sh.P.,  56 vjeçe dhe Z.Gj., 52-vjeçe.

Ndërkohë dy të moshuar, një 72 vjeçar dhe një 86 vjeçar janë dhunuar nga djemtë e tyre A.M., 45 vjeç dhe R.K., 53 vjeç.

Për të gjitha këto raste policia ka plotësuar Kërkesë-Padinë për Lëshimin e Urdherit te Mbrojtjes së Menjëhershme për të gjithë të dhunuarit.

Në ndjekje penale, por në gjendje të lirë, po hetohet edhe 50 vjeçarja D.H., banuese në Durrës, e cila dyshohet se ka rrahur mbesën e saj 10-vjeçare.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/