DURRËS, 9 maj 2013–  Dhuna ndaj grave, ky fenomen që vazhdon në rritje gjithmonë e më shumë.

Ditën e djeshme më datë 08.05.2013  policia e Durrësit ka plotësuar Kërkesë-Padi për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes së Menjëhershme për 4 gra të dhunuara nga burrat.

1-Një shtetase 35-vjeçare, banuese në Durrës, e cila pretendon se  vëllai i burrit të saj,  shtetasi M.H., 37 vjeç, banues në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
2-Një shtetase 29-vjeçare, banuese në Durrës, sepse bashkeshorti i saj shtetasi A.Xh., 32 vjeç, banues në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
3-Një shtetase 44-vjeçare, banuese në Durrës, sepse bashkëshorti i saj shtetasi R.T., 44 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
4-Një shtetase 20-vjeçare, banuese në Durrës, sepse babai i saj, shtetasi F.M., 46 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. 

Ky fenomen vazhdon të trajtohet nga shumica e popullsisë si një problem privat, që i përket vetëm familjes, dhe jo shoqërisë. Megjithë punën ndërgjegjësuese që është bërë veçanërisht gjatë dhjetë viteve të fundit për të sensibilizuar publikun, qëndrimet ndaj dhunës nuk kanë ndryshuar shumë. Vështirësia e studimit të fenomenit rritet edhe më shumë po të kemi parasysh se fenomeni ndodh “prapa dyerve të mbyllura”. Si i tillë, ai është i vështirë për t’u vëzhguar dhe studiuar nga afër. Vetëm rreth 5 % e grave të dhunuara në gjirin e familjes denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. I vetmi burim informacioni mbetet në shumicën e rasteve vetë viktima, e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe stereotipet që ekzistojnë në shoqëri apo në komunitetin ku ajo bën pjesë.

Dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet dhe penalizohet si krim brenda familjes duke mos u paraqitur kështu në statistikat zyrtare. Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks që përfshin më shumë se sa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Është një problem social me përmasa të gjera që i ka rrënjët në qendrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënieve martesore. Viktimizimi i grave nga bashkëshortët e tyre përforcohet nga gjendja ekonomike, mentaliteti dhe tradita, ndërgjegjësimi jo i mjaftueshëm i njerëzve mbi dhunën në familje. Dhuna ndaj gruas po bëhet gjithmonë dhe më shumë problem shqetësues në shoqëri, pasi shumë burra ndihen të kërcënuara nga koncepti i lirisë së grave.

Vajzat e reja duhet që nga ne familjet, nënat tu edukohet shkollimi, afirmimi në jetë, në shoqërinë civile, detyrat që kanë dhe të drejtat, TE DREJTAT, që kanë. Është kjo mënyra e cila i bën femrat të reflektojnë në vitet në vazhdim për jetën e tyre. Kemi femra që martohen në një moshë shumë të re, rrëmbehen sepse u errësohen sytë nga dashuria. Gratë po rrihen në gjykatë, para gjykatësit, para fëmijëve të tyre.

DUHEN NDERGJEGJESUAR GRATE, ZERI DUHET TE NGRIHET NE CDO RAST.