DURRËS, 17 dhjetor 2013 – Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë shtetërore UKD (Ujësjellës Kanalizime Durrës) sha inxhinieri Spartak Kovaçi, më përpara pedagog në universitetin publik “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe drejtues teknik në një firmë ndërtimi në Durrës, i ka “prishur punë” kësaj të fundit. Duke mos u zëvendësuar, i është hequr licenca nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, që e ka miratuar emërimin e Kovaçit në krye të ndërmarrjes publike. Edhe pse janë lajmëruar qysh në muajin tetor 2013 nga zyra përkatëse e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës 4 firma ndërtimi në qarkun e Durrësit, nuk kanë aplikuar për të kryer ndryshimin që rrjedh nga largimet e drejtuesve teknikë. MTI-ja i ka kërkuar e INUK-ut (Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar) të zbatojë procedurat ligjore përkatëse dhe të njoftojë subjektet në fjalë për pavlefshmërinë e licencës aktuale deri në momentin e reflektimit e ndryshimit dhe për dorëzimin e saj pranë zyrës përkatëse e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Kjo e fundit ka njoftuar më 16 dhjetor 2013 Agjencinë e Prokurimit Publik pranë Këshillit të Ministrave se licenca NZ. 5467/2 e shoqërisë “CO-BETON” në fshatin Sallmone Xhafzotaj Durrës është e pavlefshme, pasi Jorgo Milo është larguar nga pozicioni i drejtuesit teknik të shoqërisë. Licenca NZ. 5366/5 e shoqërisë “SHEHU”, lagja “Kastrioti” Fushë Krujë është e pavlefshme, pasi Arta Xhaferri ka njoftuar largimin nga pozicioni i drejtuesit teknik të shoqërisë. Licenca NZ. 4152/2 e shoqërisë “QYPI” Shkozet Durrës është e pavlefshme, pasi Elida Stërmilli (Haxhiraj) ka njoftuar largimin nga pozicioni i drejtuesit teknik të shoqërisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





