DURRËS, 13 tetor 2013 – Kuarteti Italian i Klarinetave (Quartetto Italiano di Clarinetti) ishte mysafiri i radhës në festivalin e tetë ndërkombëtar të muzikës së dhomës më 10 tetor 2013, në një koncert që dhanë në Durrës. Ata u larguan me mbresa të pashlyeshme nga atmosfera disi e veçantë që ndien teksa ekzekutonin në galerinë e gladiatorëve të amfiteatrit antik, pritja e publikut dhe vlerësimi nga Zonja e Parë, Odeta Nishani (Kosova). Në fjalën e saj, kjo e fundit tha: “Festivali merr edhe më shumë rëndësi për shkak të zhvillimit të tij në vende të spikatura historike, arkitekturore e arkeologjike të qytetit të Durrësit si: muzeu arkeologjik, torra veneciane apo së fundmi amfiteatri antik romak. Aktivitete të tilla cilësore, mundësojnë njohjen e trashëgimisë kulturore si gjatë sezonit turistik ashtu dhe përtej kufijve të verës, duke gjallëruar monumente të tilla me vlerë kaq të madhe si Amfiteatri Antik në këto ditë tetori”.

Programi

Instrumentistët italianë interpretuan 10 pjesë, nga autorë italianë dhe të huaj, duke përshkuar një udhëtim muzikor në Itali nga opera lirike deri te këngët e radios. Giovanni Lanzini, Carlo Franceschi, Maurizio Morganti dhe Augusto Lanzini fituan duartrokitjet e publikut, jo vetëm për veprat e përzgjedhura, por mbi të gjitha për interpretimin virtuoz, thotë eksperti i kulturës Gëzim Kabashi. Programi u hap me çardash nga Vittorio Monti (1868-1922) dhe Gioachino Rossini (1792-1868). Tri ariet e Moxartit nga operat “Dasma e Figaros” dhe “Don Zhuani” janë rishkruar nga autori gjenial edhe për formacione të vogla, ndërsa më pas ritmet italiane dhe ballkanike mbizotëruan nën kupolën e galerisë më të madhe të amfiteatrit. Pjesë të përzgjedhura nga krijimtaria e Pietro Maskanji-t (Mascagni, 1863-1945), Mario Milani-t, Pietro Iturralde-s dhe Hengel Gualdi-t (1924-2005) ndryshuan disa herë atmosferën muzikore të koncertit, duke provuar mjeshtërinë dhe disiplinën artistike të kuartetit. Në fund të koncertit artistët italianë dhuruan një “buqetë  me këngë te vjetra italiane”, të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, dëgjuar kryesisht në radiot e kohës. 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/