Durrës, 30 prill 2014 – Policia e Qarkut të Durrësit ka vënë në pranga në 24 orët e fundit katër shtetas të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

27 vjeçari Shkëlzen Hoxha është prangosur nga blutë e Durrësit sepse gjatë kontrollit fizik të bërë ndaj tij në Shkozet iu gjet dhe iu sekuestrua 6.5 gr kanabis sativa. Mbi këtë shtetas rëndon akuza “Prodhim, shitje e lëndëve narkotike”.

Ndërkohë një 46 vjeçar nga Durrësi, Ilir Çuka, autor i vjedhjes së mbetur në tentativë të një pike Western Union, në shkurt të këtij viti, është vënë në pranga për veprën penale “Vjedhje”.   

Në pranga ka përfunduar edhe 42 vjeçari Fatmir Alla, nga Kruja, pasi gjykata kishte dhënë ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” në datë 28 prill. Alla akuzohet për veprat penale “Fyerje” e “Ndërhyrje në jetën private”.

Megjithë forcimin e masave të Kodit Rrugor për ndëshkimin e të gjithë shkelësve të ligjit, në akset rrugore të rrethit të Durrësit vazhdojnë të qarkullojnë drejtues mjetesh pa patentë.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Gëzim Pirra, 31 vjeç, banues në fshatin Manëz Shijak, sepse rreth orës 00.30, në segmentin rrugor Manëz –Maminas, është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin Opel Corsa me targa AA899GL, pa qenë i pajisur me leje drejtimi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/