Bashkia e Durrësit ka hapur tenderin e parë për riforcimin e 4 pallateve me dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Riforcimi i njësive të banimit në ndërtesat (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para” Ne kuader te procesit te rindertimit (Programi i Rindertimit)”, – është objekti i tenderit me procedurë të kufizuar.
Nga data 15 deri më 25 janar, kompanitë e interesuara kanë pasur mundësi të dorëzonin dokumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në tender.
Për riforcimin e 4 pallateve është vënë në dispozicion fondi limit 250 609 609 (dyqind e pesëdhjetëmilionë e gjashtëqind e nëntëmijë e gjashtëqind e nëntë) lekë të reja.
Bëhet fjalë për pallatet e mëposhtme:
- Godinë banimi 5 kat në Lagjen nr. 13, Rruga “Venecia”, Plazh, Durrës. Kod gis 7333. Me vlerë preventive: 15,457,679 lekë pa tvsh
- Godinë banimi 8.10.12 kate me 1kat nën tokë, Rruga “Bashkimi, Kod gis 25410. Me vlerë preventive: 94,729,747 lekë pa tvsh
- Godinë banimi 4-6 kate me 1kat nën tokë, Rruga “Pavarësia”, Kod gis 6862. Me vlerë preventive: 24.95740 lekë pa tvsh
- Godinë banimi 1.8.10.11 kate me 1kat nën tokë, Rruga “Vaso Pasho”, Kod gis 21305. Me vlerë preventive: 115.468.443 lekë pa tvsh
Këto janë 4 pallatet e para të dëmtuara rëndë nga lëkundja sizmike, tek të cilat pritet të nisin punimet për riforcimin e tyre dhe kthimin në të banueshëm.
Sipas dokumenteve të tenderit, kohëzgjata e kontratës është 180 ditë, ndërsa ajo e Marrëveshjes Kuadër 12 muaj.
Pas shpalljes së fituesit të tenderit do të nënshkruhet kontrata dhe më pas nisin punimet në terren. Prej 14 muajsh, banorët e 123 pallateve me dëmtime DS4 janë në pritje të rikonstruksionit të godinave ku ata banonin deri më 26 nëntor 2019.
Këto familje janë përjashtuar nga granti i dëmshpërblimit, pasi të gjitha punimet në ambientet e jashtme, ambientet e përbashkëta dhe apartamente banimi do të kryhen nga kompanitë private që do të fitojnë tenderin, ndërkohë që fondi për rikonstruksionin akordohet nga Ministria e Rindërtimit.
Për shkak të dëmtimeve të rënda strukturore ose dëmtimeve shumë të rënda jostrukturore 123 pallate me shkallë dëmi DS4 janë shpallur të pabanueshme që në ditët e para pas tërmetit. Akt-ekspertizat e Institutit të Ndërtimit kanë dalë në konkluzionin se godinat në fjalë nuk duhen shembur dhe ndërtuar nga e para, por duhen riforcuar.
Për secilin prej tyre, bashkia Durrës ka kërkuar hartimin e një projekt preventivi për rikonstruksionin, projekt i cili pasi merr aprovimin e Institutit të Ndërtimit kalon në tender dhe pas shpalljes së kompanisë fituese nisin punimet.
M.B.





