4 tentativa vetëvrasjeje janë regjistruar në 24 orët e fundit në qarkun e Durrësit. Sipas burimeve policore, në të katër rastet bëhet fjalë për femra që kanë tentuar t’i japin fund jetës.
Rasti më i rëndë është ai i regjistruar paraditen e sotme, kur në spitalin e Shijakut u paraqitet një grua në moshë, e cila kishte tentuar të vriste veten duke prerë damarët.
Pasi iu dha ndihma e parë, gruaja rreth 60 vjeçe u dërgua me urgjencë në Tiranë, pasi gjendja e saj ishte mjaft kritike. Sipas informacioneve të para, dyshohet se gjendja mjaft e rënduar psikologjike e kësaj shtetaseje, e ka shtyrë drejt vendimit ekstrem.
Ndërkohë, në tre rastet e tjera, femrat që kanë tentuar vetëvrasjen kanë konsumuar sasi të konsiderueshme medikamentesh.
Kështu mësohet se shtetasja E.Gj, vjeç 50, banuese në Shijak, ndodhet në spital, jashtë rreziku për jetën. Po jashtë rrezikut për jetën është edhe një shtetase nga Xhafzotaj, e cila është paraqitur në urgjencën e spitalit të Shijakut, mbrëmjen e së dielës.
Ndërkohë në Krujë, një vajzë vetëm 22 vjeçe, në banesën e saj, në gjendje depresioni, është vetëhelmuar me medikamente. Shtetasja E.V., pasi mori mjekim në spital u largua për në banesë.





