DURRËS 18 qershor 2014 –  Më 16-17 qershor 2014 në qytetin e Durrësit kanë rënë 46 litra reshje për metër katror në 24 orë. Njoftimi vjen nga portali i motit wetter.net në Visbaden (Wiesbaden) të Gjermanisë, ku rekordin për të gjithë Mesdheun e mban ishullit i Sazanit me 74 litra.

Ka ditë që Mesdheu është përfshirë nga stuhi të fuqishme me reshje dhe fortunale.

Shkak është ajri shumë i lagësht dhe i ngrohtë që nuk lëviz nga vendi. Në të zhvillohen qeliza të fuqishme dhe të përsëritura uraganesh.
Veçanërisht stuhitë me reshje janë më intensive në Itali dhe Ballkan. Kurse Spanja lindore dhe Franca jugore janë të prekur në nivel lokal nga stuhitë.

Ja rekordet e reshjeve: ishulli i Sazanit 74 litra, Nikshiq (Mali i Zi) 72 litra, Tivar (Mali i Zi) 61 litra, Guidonia (Itali) 57 litra, Tiranë 54.2 litra, Durrës 46 litra, Plloçe (Kroaci) 44.2 litra, Rimini (Itali) 38 litra, Capo Caccia (Itali) 30 litra dhe St Auban-sur-Durance (Francë) 21.3 litra shi për metër katror në 24 orë.
Edhe në natën e së dielës sasi të mëdha shiu në formë shtrëngatash ranë sidomos në Italinë qendrore, ku në Romë, pati 107 litra shi për metër katror në 24 orë, përmbytje rrugësh dhe bodrumesh.

Portali wetter.net parashikon se moti me rrebeshe e stuhi do të vazhdojë deri të enjten, veçanërisht në Itali dhe në Ballkan, thotë Franziska Polak, gjeografe-meteorologe.

Sipas Departamentit të Klimës dhe Mjedisit në Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit publik shqiptar Politeknik, rajoni i Ballkanit  më 18-19 qershor 2014, do të ndodhet nën ndikimin e periferisë së një fushe me presion atmosferik të ulët, kurse në Shqipëri do të ketë mot me vranësira të çrregullta.

Vranësira do të shoqërohet edhe me shira të përkohshëm lokalë  më të theksuara në zonat malore.

Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri15 km/orë, nga jugperëndimi.

/th.m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/