5 tetor 2015 – Është 5 vjeçe por nuk figuron në asnjë vend si shtetase shqiptare. Historia e vogëlushes nis që në barkun e nënës, që dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti në Kosovë. Në kushtet e dhunës sistematike, nëna e Ejona Jerlias shkon në Belgjikë ku lind vogëlushen.
Por pasi nuk mundi të përfitonte azil, arratiset nga kampi për t’u kthyer në vendlindje në Durrës, bashkë me dy fëmijët, djalin në atë kohë 6 vjeç dhe vajzën vetëm disa muajshe.
Lumturie Balla, gjyshja e vogëlushes, rrëfen se prej 4 vjetësh sorollatet nëpër insitucione për ta regjistruar. “Kam shkuar në Ministrinë e Jashtme me komplet dosjen e vajzës, kërkojnë çertifikatën e fëmijës, më kanë thënë se nuk mund të regjistrohet në shtetin shqiptar pa pasur çertifikatë lindje nga Belgjika”.
Gjyshja e të miturës tregon se mbesa e saj nuk mund të regjistrohet në kopësht. “Vajza nuk ka të drejtë të shkojë as në kopsht dhe as të bëjë vizitë në shtet, vetëm vaksinat ia kemi ndjekur”.
Zyra e gjendjes civile në Durrës për të regjistruar 5 vjeçaren kërkojnë çertifikatën e lindjes në Belgjikë, por nëna e saj, e cila nga shqetësimet është shtruar prej dy javësh në spitalin psikiatrik, nuk mund të udhëtojë në shtetin belg sepse ka urdhër të mos shkelë për 5 vjet. /oranews/