Durrës, 7 mars 2014 – Fenomeni i vjedhjeve mbetet një fenomen mjaft i përhapur në qytetin bregdetar. Shenjestër e hajdutëve janë jo vetëm shtëpitë dhe lokalet, por edhe hekurat e rrethimit të shkollave. Rasti më i fundit ëshët konstatuar një ditë më parë, kur tre persona janë ndaluar nga policia, sepse po vidhnin dy copa hekuri, pjesë e rrethimit të shkollës “Vinçens Prendushi”. Mbi të tre shtetasit e moshës 16, 24 dhe 39 vjeç rëndon akuza e vjedhjes në bashkëpunim.

Ndërkohë po në qytetin e Durrësit, gjatë ditës së enjte janë konstatuar dy vjedhje të tjera, njëra prej të cilave është zbardhur nga policia, ndërsa për tjetrën po punohet për kapjen e autorëve. Dy banorë të Durrësit, Ilir Mema, 43 vjeç dhe Ilir Korbi, 36 vjeç janë arrestuar në flagrancë nga forcat e rendit ndërsa në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë vjedhur kasetofonin e mjetit Fiat Punto me targa DR 0779 F në pronësi të shtetasit A.K., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës.

Nga ana tjetër një 25 vjeçare ka denoncuar në polici grabitjen e shtëpisë së saj gjatë orëve të natës. Hajdutët kanë hyrë në banesën e shtetases Xh.S. banore e lagjes nr.14 dhe kanë marrë me vete orendi dhe pajisje. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e vjedhësve.

Ndërkohë po gjatë natës, në Arapaj dhe në Shijak, dy lokale janë dhunuar nga hajdutët. Persona të paidentifikuar pasi kanë hapur me forcë dritaren kanë hyrë në lokalin e muzikës live në pronësi të shtetases D.P. dhe kanë vjedhur aty disa pjesë pajisjesh muzikore me vlerë 30 000 lekë si dhe kanë dëmtuar 8 kolltukë të lokalit. Ndërsa më datë 06.03.2014, rreth orës 08.00, shtetasi Sh.P., 56 vjec, banues në Shijak, ka bërë kallëzim se gjatë natës, persona të panjohur i kanë vjedhur me thyerje lokalin e tij në të cilin kanë marrë një televizor 32 polsh LG si dhe disa pije alkolike. Edhe në këtë rast policia po punon për identifikimin e kapjen e autoreve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/