• Zyra e Punësimit Durrës 900 ndërmjetësime gjatë periudhës mars-prill
  • Për qarkun e Durrësit, qeveria ka çelur një fond prej 35 milion lekësh të reja për të nxitur punësimin

Durrës, 8 maj 2014 – Ambientet e reja, moderne e komode të Zyrës së Punës Durrës, të inaguruara me bujë nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Erion Veliaj, duket se po japin frytet e para.

Sipas drejtorit të kësaj zyre. Indrit Puteci, gjatë marsit dhe prillit ky institucion ka bërë mbi 900 ndërmjetësime për punë dhe 550-560 prej këtyre ndërmjetësimeve kanë rezultuar të suksesshme, d.m.th. njerëzit kanë gjetur realisht punë.

Gjithsesi drejtori Puteci ka edhe një tjetër lajm të mirë për të papunët durrsakë. Ai pohoi për Dyrrah-un lajmin se ka ende 500 vende pune bosh. Punëdhënësit kërkojnë punë, por fatkeqësisht nuk po gjejnë punëtorë në Durrës.

Nga këto 500 vende, rreth 200 janë në ”call center”, ku zotërimi i italishtes në nivel të lartë është domosdoshmëri. Pagesa dhe kushtet e punës mund të konsiderohen shumë të mira për tregun shqiptar të punës.

Rreth 250 vende të tjera të lira janë në industrinë fason, rrobaqepësi dhe qepje faqe këpucësh. Pjesa, që mbetet janë vende pune në aktivitete të ndryshme shërbimesh dhe artizanati.

Drejtoria Rajonale Durrës e Shërbimit Kombëtar të Punësimit po ashtu informon publikun durrsak se qeveria e Rilindjes ka aprovuar një sërë VKM-sh për të nxitur punësimin, kualifikimin e fuqisë punëtore, financimin e praktikave profesionale etj. Në bazë të VKM nr.27, 47, 48, 199 dhe 873 për qarkun e Durrësit, qeveria ka çelur një fond prej 35 milion lekësh të reja për të nxitur punësimin.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/