·        Lëkundjet janë ndier në zonat e Ishmit, Sukthit, Manzës, Katundit të Ri, Xhafzotajt, Rrashbullit, Fushë-Krujës, Bubqit, Thumanës, Laçit, Shijakut, Maminasit, Vorës, Durrësit, Tiranës

 

DURRËS, 8 mars 2014 –  Rikthehen frikshëm lëkundjet në Durrës, sa në det sa në tokë, sikurse ndodhi të shtunën, më 8 mars 2014.

Më 8 mars 2014, ora 15:12:32 (GMT) ose 16:12:32 (koha e Shqipërisë +1)  në qytetin e Durrësit, sidomos në pallatet shumëkatëshe janë ndier tronditje tërmeti me forcë mbi 4,2 ballë; ishte goditja e gjashtë rresht. Sipas Departamentit të Sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të universitetit Politeknik të Tiranës, tërmeti mbi mesataren e ka pasur epiqendrën në det, në thellësinë 19 km, në koordinatat 41.51°V, 19.5°L, 20 km në veriperëndim të qytetit të Durrësit, në Gjirin e Lalëzit, në jug të Kepit të Rodonit (shih foton satelitore, pika e kuqe dhe hartën).

Ky tërmet është paraprirë nga 5 të tjera: në orën 14:57:25 është u regjistrua një dukuri sizmike me forcë 3,1 dhe epiqendër në thellësinë 20 km; në detin Adriatik, 18 km në veriperëndim të qytetit të Durrësi në koordinatat 41.49°V, 19.47°l, pikërisht në zonën e Gjirit të Lalëzit,.

7 minuta më vonë, 15:04:21, u regjistrua një tjetër termet detar në afërsi, me forcë M=2.8, me epiqendër në thellësinë 21 km; u lokalizua 21 km në veriperëndim të qytetit të Durrësit, në koordinatat 41.51°V, 19.47°L.

Në orën 15:19:52 erdhi goditje e tretë me forcë M=3.6, epiqendër në thellësinë 12 km, po në Gjirin e Lalëzit, në det, në koordinatat 41.52°V, 19.48°L.

Dy goditjet e tjera u zhvendosën në tokë, po në Gjirin e Lalëzit: tërmeti me forcë 3,9 ballë, epiqendër në thellësinë 13 km, u regjistrua në orën 16:06:31, në fshatin Lalëz, në koordinatat 41.53°V, 19.54°L; Kurse dy minuta më vonë, ora 16:08:26, dukuria tektonike, me forcë 2,9 dhe epiqendër në thellësinë 7 km, u regjistrua aty afër, në fshatin Shetaj në koordinatat 41.56°v, 19.54°L.

Deri tani nuk ka pasur njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.

Paniku i natyrshëm ka përfshirë banorët e zonave të Ishmit, Sukthit, Manzës, Katundit të Ri, Xhafzotajt, Rrashbullit, Fushë-Krujës, Bubqit, Thumanës, Laçit, Shijakut, Maminasit, Vorës, Durrësit, Tiranës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/