Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës edhe në javën që lamë pas kanë vijuar zbatimin e planit të masave, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë. 6 ditë më parë, pikërisht nga qyteti bregdetar nisi fushata sensibilizuese e Policisë Rrugore për t’i bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e Kodit Rrugor për të garantuar rrugë më të sigurta dhe parandalim të aksidenteve automobilistike.
Në kuadër të kësaj fushate dhe punës së vazhdueshme të Policisë Rrugore për shkak se qyteti bregdetar përballet këto ditë me fluks të shtuar automjetesh si pasojë e emigranëtev që hyjnë e dalin nga Shqipëria dhe pushuesve që vijnë Durrës, pjesa më e madhe e drejtuesve të mjeteve janë këshilluar në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor ndërsa për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe Kodit Penal janë marrë këto masa:
– janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur;
– janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi;
– janë sekuestruar 4 mjete;
– janë pezulluar 30 leje drejtimi për tejkalim shpejtësie, 16 leje drejtimi për drejtim mjeti në gjendje te dehur dhe 6 leje drejtimi për shkelje të ndryshme.
Janë vendosur 1 568 masa administrative, nga këto:
80 për tejkalim shpejtësie dhe parakalim të gabuar;
428 për mungesë të rripit të sigurimit;
48 për mungesë të kaskës mbrojtëse;
438 për parkime te gabuara dhe pjesa tjetër për shkelje të ndryshme të normave të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Durrës do vijojë kontrollet edhe në ditët në vazhdim dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe Kodin Penal, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim dhe do të përgjigjet para ligjit çdo shkelës.





