DURRËS, 10 korrik 2013 – Policia e Durrësit sipas një njoftimi për mediat bën me dije se në zbatim të dtyrimeve të lindura nga plani i masave lidhur me garantimin e rendit e sigurisë publike përgjatë sezonit turistik veror, dy shtetas u arrestuan në flagrancë dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim lidhur me të paktën 6 vjedhje të vogla të kryera në zonën e plazhit, të frekuentuar tashmë nga pushues nga vendi e rajoni, nga të cilat disa vjedhje aksesorë automjetesh apo sendesh personale.

Kështu, më datë 09.07.2013, ora 23.45, blutë e Durrësit kanë vënë në pranga shtetasin me iniciale A.M., 15 vjeç, banues në Durrës, si dhe ka bërë shpalljen në kërkim policor të dy shtetasve, Ymer Çyrbja, 24 vjeç, banues në Durrës dhe Bledi Xhani, 22 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë së Durrësit, procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi më datë 09.07.2013, rreth orës 18.30, në lagjen 13 Durrës, tek hotel ”Palace” dyshohet se kanë vjedhur:

-Xhamat e pasqyrave të automjetit Mercedez Benz me targa të Kosovës 01380 DD, prone e një  44-vjecari, pushues nga Kosova.
-Xhamat e pasqyrave te fuoristradës “Volksëagen Tuareg” me targë TR 8883 P, pronë e një pushuesi nga Tirana.
-Xhamat e pasqyrave të mjetit “Mercedez Benz ML” me targa të Kosovës 01945 FG, pronë e një pushuesi nga Kosova.
-Xhamat e pasqyrave të mjetit “Audi A6” me targa maqedonase BEM 6208, pronë e një pushuesi nga Maqedonia.
-Xhamat e pasqyrave të mjetit “Mercedes Benz” me targa TR 9365 K, pronë e një pushuesi nga Tirana.

Gjithashtu po mbrëmjen e djeshme rreth orës 23.00, blutë e Durrësit kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Lorenc Abdiaj, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë ky shtetas rreth orës 15.30 të po kësaj dite, pranë market EMI në lagjen 13 Plazh Durrës, është kapur në flagrancë me një çantë, brenda së cilës gjendeshin sende te ndryshme, të cilat i ishin vjedhur një 64-vjeçari, pushues nga Kosova.

Materialet për ngjarjet e mësipërme për veprën penale të ”Vjedhjes” të kryer nga këta shtetas iu përcollën Prokurorisë Durrës.