DURRËS, 12 shtator 2014 – Vetëm për 7 muajt e parë të vitit 2014 janë gjeneruar mbi 10 tonë mbetje spitalore, që janë eliminuar sipas standardeve ndërkombëtare.
Spitali rajonal i Durrësit gjeneron rreth 18 tonë mbetje të rrezikshme spitalore në vit, ose mesatarisht 1 500 kg në muaj, ndaj trajtimi i tyre ka një rëndësi të veçantë, njofton ky institucion i shëndetit publik.
Sipas të njëjtit burim, vetëm për 7 muajt e parë të vitit 2014, janë gjeneruar mbi 10 tonë mbetje.
Mbetjet ndahen që në burim (pas përdorimit), në mbetje të mprehta, të kontaminuara dhe mbetje të tjera jo të rrezikshme.
Çdo muaj në spital prodhohen 6 kg mbetje të mprehta, që depozitohen në kontenitorë plastikë njëpërdorimësh.
Mbetjet e kontaminuara (shiringa, garza etj.), që janë edhe më të rrezikshmet, hidhen në kontejnerë të veshur me qeset përkatëse me ngjyrë të verdhë; ndërsa për mbetjet jo të rrezikshme përdoren koshat me qese të zeza.
Çdo klinikë ka depo ku depoziton mbetjet e grumbulluara, që eliminohen në incelerator, në orare të caktuara dhe me një rregullore të rreptë për të mos lejuar shpërndarjen në mjedis.
Shkatërrimi i mbetjeve në incelerator kalon në dy procese djegieje; kohëzgjatja e njërës prej tyre është 2 orë dhe në fund nga mbetjet mbetet vetëm hiri.
Tregohet kujdes i veçantë për sanitaret që janë përgjegjëse për transportin e mbetjeve, duke i pajisur me uniformë, doreza dhe maska.
Kështu parandalohet përhapja e infeksioneve të ndryshme, mbrohen pacientët dhe personeli nga infektimet e mundshme që mund të jenë edhe fatale për jetën e tyre.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





