Komiteti antitrafik është mbledhur në prefekturën e Durrësit duke marrë në analizë rastet e trafikimit të femrave, por edhe të fëmijëve.
Prefekti i Durrësit tha se në vitin 2016 u evidentuan 7 viktima të trafikut, të cilat në të në gjithë rastet janë vajza të shfrytëzuara për qëllime prostitucioni.
Problematika që has ky komitet antitrafik është në dy drejtime, në drejtim të prostitucionit dhe të fëmijeve në situatë rruge, që rrezikojnë të shndërrohen në viktima të trafikut.
“Në 2016-ën, 80 fëmjë u evidentuan në rrugë, 20 nga qyteti i Durrësit dhe pjesa tjetër të ardhur. Duhet të ndërhyhet me të gjitha mënyrat që të shmangen problemet social-ekonomike të familjeve të tyre, sepse viktimat e trafikut vijnë pikërisht nga kjo shtresë e popullsisë” pohoi Roland Xhelilaj.
Për titullarët e policisë së Durrësit, rezultatet e punës kundër trafikimit të qënieve njerëzore janë dukshëm të kënaqshme. “Fenomeni i prostitucionit shfaqet kryesisht në sezonin e verës, dhe në drejtim të luftës ndaj këtij fenomeni janë evidentuar e janë vënë para përgjegjësisë penale shkelësit e ligjit”, tha nëndrejtori i policisë së Durrësit.
K.H.





