Durrës, 20 mars 2014 – Ndërsa thuajse çdo ditë në njoftimin për shtyp të policisë së Durrësit dokumentohen 2,3 apo më shumë raste të dhunës në familje, ku zakonisht pre e ‘dajakut’ bien gratë, këtë herë ka ndodhur e kundërta.

Një ditë më parë, një 71 vjeçar nga Durrësi është paraqitur në polici për të denoncuar dhunën e ushtruar nga bashkëshortja e tij B.A.,66 vjeç. Në dëshminë e tij, 71vjeçari ka deklaruar se konfliktet e vazhdueshme familjare ishin bërë të padurueshme kohët e fundit në shtëpinë e tij, madje në më shumë se një rast, bashkëshortja, përveç të bërtiturave dhe fyerjeve në adresë të tij, ka arritur deri të vërë “dorë” mbi të. 71 vjeçari ka deklaruar se megjithëse për të si mashkull ishte e vështirë të pohonte para personave të tretë dhunën e ushtruar nga e shoqja, frika se mos dhuna në raste të tjera bëhej dhe më intensive dhe mund të përbënte rrezik për jetën e tij është detyruar të “gëlltisë” turpin dhe të denoncojë të bashkëshorten.

Efektivët e rendit, pasi kanë dëgjuar dëshminë e 71 vjeçarit kanë plotësuar menjëherë Kërkesë-Padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për të moshuarin.

Po gjatë ditës së djeshme, policia ka plotësuar edhe dy Kërkesë-Padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për dy shtetase, të moshës 38 dhe 33 vjeç, që janë dhunuar nga bashkëshortët e tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/