DURRËS, 17 qershor 2013 –Plot 72 çadra shiu shumëngjyrëshe janë vendosur këto ditë në rrugën “Xhamia”, e cila bashkon bulevardin “Epidamn” (ish-Rruga Tregtare) me xhaminë “Fatih”, e njohur edhe si Xhamia e Vogël e Durrësit.
ATSH në një soft news nga Durrësi njofton se pak metra larg banderolave dhe posterëve të forcave politike, që do të garojnë pas një jave për formimin e parlamentit të ardhshëm, çadrat kineze të shiut i kanë dhënë një pamje të gëzuar rrugës me trafik automjetesh dhe kalimtarësh të shumtë.
Nisma e një biznesmeni, që vazhdon me mënyra të reja për të tërhequr më shumë klientë të rinj në lokalin e tij, e ka kthyer rrugën me gjatësi 80 metra në një hapësirë të këndshme, në të cilën këto ditë janë shkrepur më shumë fotografi se në qendra të tjera të qytetit.
Ai thotë se ka harxhuar për zbukurimet më pak se sa banderolat monotone e të kushtueshme të partive politike në garë.
Në vapën që sapo ka filluar, çadrat e rrugës “Xhamia” më shumë se hije duket do të krijojnë një ndjesi argëtimi dhe qetësie, duke u bërë njëkohësisht një shembull për ta bërë qytetin më të këndshëm e mikpritës për pushuesit dhe vizitorët.
/g. k. /th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





