DURRËS, 7 korrik 2015 – Mbërrin stina e zjarreve nga temperaturat e larta, ku Durrësi parashikohet me një rrezik mesatar, kurse Kruja të lartë. Nga ana tjetër, edhe pushuesit në plazhe duhet të shmangin daljen në mesditë.
Për ditën e nesërme, 8 korrik 2015, pritet që territori i Shqipërisë të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut nga zjarret në pyje, njofton në komentin e vet paraprak Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore.
I analizuar në vlera mesatare (sipas ndarjeve territoriale administrative), më 8 korrik 2015 do të ketë një rritje të këtij rreziku (shih hartat).
Një rrezik për popullatën në ditët e ardhshme është rritja e temperaturave.
Rekomandohet të bëhet kujdes ndaj ekspozimit në diell në orët e mesditës dhe të
rritet konsumimi i lëngjeve, përpara se të mbërrijë vala e të nxehtit.
Sipas hartave të datave 8 dhe 9 korrik 2015, rreziku nga zjarri në pyjet e rrethit të Durrësit (ngjyra tullë) është mesatar. Në këtë rast nuk rekomandohen zjarret e kontrolluara, sepse bëhen vatra për ndezjen e zjarreve. Barërat e thata dhe pyjet mund të digjen lehtë. Flakët janë të mesme në pyje dhe të shpejta në zonat e ekspozuara. Duhet të përdoren të gjitha mjetet për shuarjen e flakëve të zjarreve.
Rreziku nga zjarri në pyjet e rrethit të Krujës (ngjyra e kuqe) është i lartë. Ndezje mund të ndodhin lehtë me një përhapje të shpejtë në shkurre, barë dhe pyje. Zjarret mund të jenë shumë të nxehtë, me kurora përhapje të vogla dhe të mesme. Ndërhyrja e drejtpërdrejt në kokën e zjarrit mund të jetë e pamundur, kërkohet ndihma e metodave dhe mjeteve të tjera plotësuese.
Info / Meteo
Vihet re se rajoni i Ballkanit do të ndodhet nën ndikimin e periferisë së një fushe me presion atmosferik të lartë.
Në Shqipëri, më 8 korrik 2015 parashikohet se do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta në vendet malore gjatë mesditës. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 15 km/orë, nga veriperëndimi. Në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 22 ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 35 gradë Celsius.
Më 9 korrik 2015 do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta gjatë pasdites. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 15 km/orë, nga jugperëndimi. Në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 23 ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 35 gradë Celsius.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





