·      Me gjithë punën e mirë, numri i vizitorëve është ende i vogël në krahasim me fluksin e turistëve dhe ekskursionistëve

·      Në vitin 2012, qyteti më i vjetër dhe më i rëndësishmi i Shqipërisë renditej në vendet e fundit të klasifikimit për numrin e vizitorëve dhe të ardhurave nga turizmi kulturor mes 19 qendrave në shkallë vendi: më poshtë se Butrinti, Tirana, Shkodra, Bylisi, Vlora, Kruja, Apolonia, Berati, Korça

DURRËS, 5 tetor 2014 –  Rritet pothuajse me dyfishin numri i vizitorëve me pagesë në amfiteatër në krahasim me 9-mujorin 2013, njofton Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës (shih poshtë tabelën).

Nëse në periudhën janar-shtator 2013 objektin më të rëndësishëm kulturor të Durrësit, por edhe të Ballkanit, sikurse është amfiteatri i kohës romake, kanë ardhur 2 964 turistë, në të njëjtën periudhë të këtij viti, numri i tyre arriti në 5 847, me një diferencë prej 2 883 më shumë (197,2 për qind).

Shifra është disi mbresëlënëse dhe flet për një punë më të mirë në propagandimin e turizmit kulturor, punimet e ndryshme restauruese, ndërgjegjësim të operatorëve që përgatisin paketat turistike, por edhe shtimit të numrit të kroçerave me qëndrim 12-orësh në port.

Ndërkaq, me gjithë këtë kërcim të lartë të shifrave, ato janë ende të ulëta në krahasim me numrin e turistëve që kanë pushuar në hotele, ekskursionistëve ngë Kosova dhe shkollat e mesme të Shqipërisë etj.

Të paktën, për 9 muaj, amfiteatri duhej të priste 20-40 mijë bileta.

Info

Statistikat e viteve të kaluara për sa u përket vizitorëve në monumentet e kulturës së qytetit të Durrësit flasin për nivelin më të ulët në Shqipëri.

Qyteti më i vjetër dhe më i rëndësishmi i  Shqipërisë, Durrësi, renditej në vendet e fundit të klasifikimit për numrin e vizitorëve dhe të ardhurave nga turizmi kulturor mes 19 qendrave në shkallë vendi.

Nga statistikat zyrtare të Ministrisë së Kulturës për vitin 2012 del se në objektet muzeore dhe arkeologjike të Durrësit kanë ardhur gjithsej 7,255 vizitorë, nga të cilët 3,527 të huaj.

Por krahasuar me parkun e Butrintit, ku kanë shkuar 80,532 vizitorë gjithsej, nga të cilët 38,730 të huaj, vërehet shpërpjestimi paradoksal: në Durrës kanë ardhur 11,1 herë më pakë vizitorë, kurse turistë të huaj po aq më pak (rreth 11 herë)!

Jo vetëm kaq, monumentet e kulturës së Durrësit i kanë vizituar më pak se në Tiranë, Shkodër, Bylis, Vlorë, Krujë, Apoloni, Berat, Korçë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/