DURRËS, 13 tetor 2014 – Sipas të dhënave të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës për 9-mujorin 2014, janë përpunuar 2 865 566 tonë mallra, ose 3 për qind më shumë se një vit më parë.
Vërehet rritje e importeve me 8 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013.
Kjo u sigurua nga ndryshimi i strukturës së mallrave të importuara, kështu janë realizuar më tepër çimento 36 968 tonë; skrap 70 963 tonë; qymyr 18 295 tonë; plehra kimike 27 511 tonë etj.
Kurse eksportet pësuan rënie të lehtë me 2 për qind më pak, se e njëjta periudhë e një viti më parë, kryesisht hekur-nikeli dhe çimentoja rinfuso.
Ndërsa mineralet e kromit dhe klinkerit si dhe produktet e gatshme të metalurgjikut si llamarinat dhe prokatet patën rritje të konsiderueshme.
(Eksporti i klinkerit ka shënuar shifra të larta: 171 111 tonë për 9-mujorin 2014 nga 15 306 tonë gjithsej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar me diferencë prej 155 805 tonë më tepër, ose 11.1 herë më shumë; njëkohësisht përfaqëson rreth 6 për qind të vëllimit gjithsej të përpunimit të mallrave (eksport-import) si periudhë janar-shtator 2014 në portin e Durrësit.)
Gjatë janar-shtatorit 2014 kanë hyrë e dalë 633 665 persona ose 44 897 udhëtarë ose 8 për qind më shumë se po e njëjta periudhë e vitit 2013-të.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





