DURRËS, 28 gusht 2014 – Fabiani 9-vjeçar nga Durrësi, i diagnostikuar me leukemi promielocitike, mund të shërohet, njofton portali italian ecodibergamo.it.
Javën e parë të gushtit 2014 një njollë e zezë në krahun e vogëlushit alarmoi prindërit që e çuan në urgjencë.
Në fillim, mjekët menduan se nuk ishte gjë e rëndë, por analizat e gjakut dhanë një kuadër shumë më të tmerrshëm.
Parashikohej një fat i keq për 9-vjeçarin, shkruan portali italian.
Kartela klinike iu dërgua xhaxhait, Shefkiut, cili jeton në qytetin italian të Ozio Sotos (Osio Sotto) në provincën e Bergamos, Lombardi.
Dukej më shumë si përpjekje e dëshpëruar për të mohuar realitetin sesa shpresë konkrete.
Por një lajm i papritur vjen nga Italia: kushtet e fëmijës janë shumë të rënda, por sëmundja mund të shërohet nëse “sulmohet” në kohë, edhe tani shpejt.
Këtë e merr përsipër reparti i pediatrisë në spitalin “Papa Gjoni XIII” në Bergamo (në foto).
Në Ozio Soto ente dhe shoqata po grumbullojnë ndihma në shenjë solidariteti.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





