Shoqata “Së Bashku Ne Mundemi” organizoi për të katërtin vit radhazi nismën humanitare “Bëhu Babagjysh për një fëmijë me aftësi ndryshe”, një aktivitet i përvitshëm, dedikuar mbështetjes së këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Shoqata “Së Bashku Ne Mundemi” dhe presidentja e saj Elsa Tasha prej 5 vitesh zhvillojnë nisma humanitare dhe sociale në shërbim të komunitetit, me fokus të veçantë te fëmijët dhe shtresat në nevojë.

Qëllimi i festës ishte të sillte gëzim, shpresë dhe mbështetje konkrete për fëmijët me aftësi ndryshe, përmes dhuratave, pakove ushqimore dhe një mesazhi të fortë solidariteti se çdo fëmijë meriton dashuri, vëmendje dhe përfshirje në shoqëri.

90 fëmijët që trajtohen pranë kësaj shoqate morën pako ushqimore dhe me lodra nga ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu, Rotary E-Club Durrës 24, Organizata Ndërkombëtare Lobi, Zvicër, si dhe biznesmenë të tjerë që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar në Durrës.

Në këtë aktivitet, që u shoqërua edhe me numra artistikë, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, organizatave, partnerë, donatorë, vullnetarë, prindër dhe fëmijë pjesë e shoqatës.

Donatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij edicioni ishin:

Znj. Pang Chunxue, Ambasadore e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri – kontribut për 80 fëmijë;

Znj. Klodiana Spahiu, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë – kontribut për 30 fëmijë;

Z. Taulant Ballazhi dhe Znj. Jurida Kraja – mbështetje për 80 fëmijë në Lezhë dhe Ulqin;

Rotary E-Club Durrës 24 dhe Znj. Edlira Jakova – 50 pako ushqimore;

Organizata Ndërkombëtare Lobi, Zvicër – 50 pako për fëmijë;

Vullnetarët e Shoqatës “Së Bashku Ne Mundemi” – për organizimin dhe realizimin e aktivitetit;

Z. Adrian Bardhi, Administrator i Ad Pascucci Caffè, donator për katër vite radhazi dhe sponsor kryesor i eventit.