DURRËS, 7 janar 2014 –  Një djalosh karizmatik shqiptar me kryqin në dorë, kështu nxënësi i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, 22-vjeçari Adion [emri është shkruar gabimisht “Ation”] Gjoni, është shndërruar në yll të medieve botërore (Photo of the Day) më 6 janar 2014. Shkrepjet e realizuara në portin e Durrësit gjatë ceremonisë së Ditës së Epifanisë nga fotoreporterët e njohur shqiptarë Hektor Pustina për agjencinë amerikane të lajmeve AP dhe Gent Shkullaku për agjencinë franceze të lajmeve AFP, kanë bërë xhiron planetare.

Sikurse ka raportuar dhe portali i agjencisë së lajmeve “Dyrrah” më 6 janar 2014, pas meshës së Epifanisë të zhvilluar në Kishën e Shën Astit dhe Shën Pavlit, qindra besimtarë ortodoksë iu drejtuan portit detar të Durrësit për të marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit të drejtuar nga At Nikolla. 

Në ceremoninë e shenjtërimit simbolik të ujërave, që përcjell mesazhin e shpëtimit dhe të domosdoshmërisë së pagëzimit për çdo besimtar, marrin pjesë dhe qytetarë e besimtarë të feve të tjera, dëshmi e tolerancës dhe bashkëjetesës së vazhdueshme fetare. Ceremonia u krye në sheshin para kalatës nr. 4 të portit, në të cilën kanë qëndruar në pritje 4 të rinj në garë për të kapur kryqin e drunjtë. Megjithëse në një ditë mjaft të ftohtë (temperatura e ajrit 4 gradë celsius, shpejtësi ere 22 km/orë), katër të rinjtë janë hedhur në ujin e detit për të pritur hedhjen e kryqit, ceremoni e cila është drejtuar nga Hirësi Nikolla, peshkop i Apolonisë.

Kryqi, simboli i kësaj dite u kap nga 22-vjeçari, studenti i Teologjisë, Adion Gjoni. Ai merr me vete bekimet e kësaj dite të veçantë, që përkon me ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/